Kur Puna Në Ekip Është e Mirë Për Punonjësit - Dhe Kur Nuk Është
Një pjesë e mire e punës sot bëhet në ekip. Ndonëse puna në ekip mund të sjellë ide inovative dhe performancë të mirë, ajo gjithashtu mund të jetë stresuese dhe mund të lindin konflikte. Një pjesë e mirë e këtij stresi buron nga presioni që menaxherët u bëjnë punonjësve. Ndonëse disa presione janë të domosdoshme për t'i shtyrë punonjësit të performojnë më mirë, nxitja e tepërt e një skuadre mund të shkaktojë probleme të mëdha, si performancë të dobët, produktivitet të ulët dhe qarkullim stafi të lartë.
Nga studimi që është bërë u zbulua se puna në grup duket se ndikon në performancën organizative dhe mirëqenien e punonjësve në mënyra të ndryshme. Nga njëra anë, ka një marrëdhënie pozitive midis punës në grup dhe performancës organizative. Në vendet e punës ku punonjësit duhet të ndajnë përgjegjësinë për produkte dhe shërbime specifike, ku punonjësit mbështeten tek njëri-tjetri për të bërë punën e tyre, menaxherët raportuan se performanca financiare ishte përmirësuar. Nga ana tjetër, u konstatua se rritja e volumit të punës në grup, rrit nivelin e kërkesave për punë për punonjësit, gjë që i bën ata të shqetësohen për punën e tyre. Kur punonjësit përballen me përgjegjësinë e përbashkët për produkte dhe shërbime specifike, ata ndihen të tensionuar dhe të detyruar të punojnë me orare të zgjatura.
Gjithashtu u kuptua se një ndjenjë më e madhe angazhimi ndaj kompanisë mund të ndihmojë në reduktimin e ankthit. Nëse punonjësit ndiejnë krenari që punojnë për kompaninë, ose nëse ata ndajnë shumë vlera të njëjta me ato të kompanisë, ndihen më pak të stresuar nga puna në ekip, sesa të tjerët që nuk ishin aq të angazhuar. Të dhënat zbuluan një histori paksa ndryshe për vendet e punës ku ekipet nuk performuan shumë mirë. Në këto raste, menaxherët nuk u kanë ofruar punonjësve mundësi të mjaftueshme për të zhvilluar aftësitë e tyre përmes trajnimit dhe as nuk u dhanë liri të influencojnë në përgjegjësitë e tyre të punës.
Puna në ekip do të vazhdojë të funksionojë për një kohë të gjatë, prandaj është e rëndësishme që menaxherët dhe punonjësit të kuptojnë aspektet e mundshme negative që vijnë nga nevoja për të punuar ngushtë së bashku me të tjerët. Për të arritur rezultate më të mira, do të ishte mirë që menaxherët të merrnin parasysh stresin që vjen me punën në ekip. Kur delegojnë punë, ata duhet të sqarojnë se cilat detyra kanë përparësi më të larta dhe ndoshta të diskutojnë përparësitë me ekipin. Punonjësit mund të punojnë për të zhvilluar besimin me anëtarët e ekipit dhe të tregojnë mirënjohje për vlerën që i sjell secili person në një projekt. Ekipet e shkëlqyera ndërtohen nga njerëz që nuk kanë frikë të bëjnë kompromis dhe të lëshojnë pe. Kur punonjësit përfshihen në diskutime të gjata, mos harroni se të gjithë kanë përgjegjësinë për të kontribuar dhe duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë lirshëm, në mënyrë konstruktive dhe mbështetëse.