Slider

Dëgjoje deri në fund!

Nga Erald Pashaj, EPPC Albania & Kosovo ltd.

Duke pritur radhën në një nga bankat në Tiranë, ku kishte radhë dhe zhurmë, por që duhet të qëndroja patjetër, veshi më kap komunikimin e personit ngjitur me mua. Ai bën një telefonatë (mesa duket ekonomistit të firmës) dhe me zë shumë të lartë, si shumica e njerëzve në vendin tonë, i thotë sapo dëgjon që telefoni i hapet nga ana tjetër:

- Sa e kemi gjendjen? .... dhe fill pas kësaj pyetje shigjetë, dëgjohet përsëri po ky: - Ore unë po të them gjendjen, ti më thua nuk kemi bërë asnjë shpenzim. Gjendjen ore gjendjen, po të pyes, sa e kemi gjendjen, se jam në bankë. Ti nuk je as nga fshati mor burrë, je edhe me shkollë të lartë. Dhe vazhdon ligjëratën. - Po çfarë shkolle keni bërë ju, po shkollës tuaj unë i kam bërë naftën (ai ia tha ndryshe këtë “naftën” në fakt). Bëri një pushim, sa mori pak frymë, dhe vazhdoi përsëri. - Sa e kemi gjendjen? Hë pra më thuaj? Të gjitha këto më lart ia tha pa asnjë ndërprerje, ku personi nga ana tjetër as nuk arriti të fliste asnjë shkronjë. Përveç se nuk foli dot asnjë fjalë, mori edhe një breshëri ofendimesh tak-fak, sa hap e mbyll sytë. Ndërkohë biseda vazhdon; - Aha, paskemi gjendje, ah po më thoje që nuk kemi bërë asnjë shpenzim me bankë që dje që të pyeta dhe gjendja është e pandryshuar. Aha po këtë nuk e dëgjova, mendova se po më thoje që nuk kemi bërë asnjë shpenzim. Mbylli telefonin duke rrotulluar kokën dhe pëshpëritur nën zë, sikur donte të thoshte: - A nuk jeni për punë ju, jo! A thua se ia kishte fajin personi nga ana tjetër.

Mendova që t’i flisja miqësisht meqë ne në EPPC këtë punë bëjmë, trajnojmë njerëzit, por edhe analizojmë profilet e personalitetit të tyre me anë të sistemit modern Extended DISC, dhe mendova që t’i them: - Zotëri, mendoj që u mërzitët nga telefonata. Në kohën e sotme, problemi më i madh që hasin njerëzit dhe sidomos drejtuesit është dëgjimi. (Në fakt ky fenomen gjendet më shumë tek drejtuesit, shitësit në terren apo në banak, ustallarët, etj, kryesisht tek personat që kanë kontakte me shumë njerëz gjatë punës së tyre. Megjithëse dëgjimi ka edhe shumë faktorë të tjerë ndikues). Mund ta kishit shmangur shqetësimin tuaj dhe tani do ishit më të qetë. Do të kishit kursyer kohë, do ta kishit kuptuar situatën shumë shpejtë, vetëm nëse do t’i kishit rezistuar dëshirës për të folur.

E fundit por edhe shumë e rëndësishme ju nuk do e kishit ofenduar, duke e bërë që të ndihej keq personi në krahun tjetër të telefonit, nëse do e dëgjonit. Të gjitha këto nuk do të ndodhnin nëse do ta dëgjonit deri në fund.

Ndërkohë që po mendoja se çfarë do t’i them, më erdhi radha dhe nuk mund që t’ia thoja të gjitha këto. Por mendova t’i ndaj me ju, duke qenë se shumë prej nesh duhet të rrisim durimin për të dëgjuar deri në fund për t’i kursyer vetes kohë dhe ndjesi negative.