Mos u josh nga çmimi!
Nga Erald Pashaj, EPPC Albania & Kosovo.
Mos u joshni nga çmimi, por blini atë që ju duhet!
Ne kemi një aftësi të veçantë për blerjen e produkteve që nuk na duhen, por i blejmë vetëm e vetëm sepse janë lirë. Blejmë rroba se janë lirë, blejmë shtëpi se është lirë, blejmë fruta-perime në rrugë se janë lirë, blejmë mobilje se janë lirë ..... lirë, lirë, lirë .... por asnjëherë mirë dhe diçka që na duhet vërtet. Kush nuk ka mundësi ekonomike, mund t’i shpenzojë në mënyrë më të zgjuar ato pak para, p.sh. mund të blejë më pak, por diçka që i duhet; një palë pantallona të lira, por të reja, një bluzë 500 Lekë, por në dyqan, një kile perime të freskëta dhe jo 3 kile kalbësira vetëm se janë lirë. Nuk duhet blerë çdo lloj gjëje e papërshtatshme që dikush e shet lirë.
Joshja nga çmimi i ulët është në vendin e parë, jo për faktin se tregu është i varfër (ka edhe kjo një ndikim në disa produkte), por sepse individi është kryesisht i paditur ose e thënë ndryshe injorant. Injorant përkufizohet si “Mungesa e njohurive bazë ose ndërgjegjësimit në përgjithësi në një ose disa fusha të jetës”. Individi duke qenë i tillë dhe duke mos menduar, vendos të blejë gjithçka që është më lirë, por duke dëmtuar shëndetin në radhë të parë, por edhe të ardhurat duke blerë produktet dhe shërbimet e gabuara ose krejtësisht të panevojshme. Duke blerë lirë ju hiqet edhe e drejta për t’u ankuar; “Pse ankohesh, aq ke paguar.”
Po le të ndalemi tek çfarë është çmimi i lirë? Çfarë do të thotë lirë? Lirë do të thotë cilësi e dobët dhe vlerë e ulët. Por nqse vazhdojmë më tej, pra nqse blejmë produkte të lira që nuk na duhen, por i kemi blerë se “i kapëm” lirë, ato janë edhe më të dëmshme për ekonominë familjare. A e dini ju se çmimi i produkteve të panevojshme është më i shtrenjti nga të gjithë? Sikur edhe 1 lek po të shpenzosh kot, për diçka që nuk ju duhet, është dëm i drejtpërdrejtë për ju. Hidhni sytë rreth e rrotull aty ku jeni, p.sh. në shtëpi; - Sa orendi keni rrotull që janë kot, të panevojshme dhe të papërshtatshme? Hapni dollapin, sa rroba janë kot, kot, kot që nuk i keni veshur më shumë se një herë, ose asnjëherë. E sa e sa produkte, e deri prona që nuk ju janë dashur kurrë. Po atëherë pse i keni blerë? Shpeshherë sepse ju janë dukur lirë. Mirë kur blen rroba, perime, etj., se fundja kanë vlerë të vogël, por kur blejmë lirë një makinë 15 vjet të vjetër, ose me mbi 200,000 km, blejmë shtëpi që janë zgëqe me nga dy kolona në mes të dhomës, ambiente me forma gjeometrike të paidentifikuara më parë, pa dritare ose me dritare që hapen tek dritarja e banjës së tjetrit. Ne jemi rast i veçantë për t’u studiuar, ku edhe shitësi thotë - si ka mundësi që e bleu? Mos themi më tej që në vendin tonë për shkak të joshjes së çmimit njerëzit blejnë edhe produkte me probleme ligjore, pa hipotekë, prona me konflikte, automjete me dokumente të parregullta, dhe vetëm se janë më lirë. Kjo shpeshherë përkthehet në atë që populli e quan “të blesh hallin me lekët e tua!
Sigurisht sa më lart nuk do të thotë që çdo gjë e lirë nuk bën, jo, ndoshta bën dhe përmbush nevojat e dikujt dhe për diçka të caktuar. Personat që janë të orientuar nga çmimi nuk kërkojnë cilësi dhe përkohësisht në produkte të caktuar mund të mos iu duhet cilësia, por këto janë të përkohshme. Nqs çmimi do të ishte i vetmi faktor i rëndësishëm kur blejmë diçka, atëherë do të kishim vetëm mallra “kinezë” të dorës së fundit që prishen me shpejtësi marramendëse (se ka edhe mallra kinezë shumë cilësorë, por natyrisht jo të lirë).
Nga ana tjetër, jo çdo gjë që kushton më shumë është e mirë, sepse ka mallra të kushtueshëm jo cilësorë, por një gjë është e sigurt, që nuk ka më shtrenjtë sesa të blesh diçka që nuk të duhet dhe nuk të bën punë.
Mos u joshni nga çmimi! Çmimi është relativ, çmimi i lirë do të thotë që produkti përmbush pak nevoja dhe ka shumë rreziqe. Të gjithë duhet të mësohen që të blejnë atë që i duhet, atë që i plotëson nevojat, atë që i bën punë, që i jep më shumë siguri, shërbim dhe garanci. Rezistojini joshjes nga çmimi dhe blerjes së kotësisë dhe do të shihni që jeta do t’ju bëhet më e mirë!