Ndryshimin e bëjnë njerëzit!
Nga Erald Pashaj
Në çdo organizatë, biznes ose jo, ndryshimin e bëjnë njerëzit. Madje sa më shumë kalon koha, njerëzit bëhen faktori më kyç për suksesin ose jo të një organizate.
Në punën tonë të përditshme dëgjojmë shpesh sipërmarrës që i mëshojnë faktit se po investojnë në makineri dhe pajisje, investojnë në toka dhe godina, në sisteme informatike, etj, sepse këto janë çelësi i suksesit. Sigurisht që të gjitha këto janë një vlerë e pamohueshme dhe pa to nuk bëhet dot, por natyrshëm vijnë disa pyetje:
- -Kush do t’i implementojë?
- -Kush do të punojë me këto investime?
- -Kush do t’i vërë në funksionim sa duhet këto teknologji?
- -Kush do i shesë produktet?
- -Kush do t‘i shfrytëzojë në mënyrë rentabël?
Pra çdo pyetje fillon me “kush’’? Dhe përgjigja është: - Njerëzit, njerëzit e aftë.
Por a është investuar për të pasur njerëz të zotë? Apo kemi thjesht njerëz? Dallimi midis njerëzve të aftë, ose siç i quajnë sot talenteve dhe thjesht njerëzve është po aq i madh sa ai i natës me ditën. Njerëzit e zotë nuk bëhen vetë, tek ata investohet! Kjo shpjegon shumë për zhvillimin e një biznesi, por edhe të një vendi në përgjithësi. A investon një sipërmarrës tek vetja? Në vendet e zhvilluar po, të gjithë, pa përjashtim. Në Shqipëri kjo është një mungesë e madhe. Sot ka sipërmarrës që ndjekin panaire të ndryshme, por edhe ndjekja e tyre duhet bërë siç duhet, me seriozitetin dhe profesionalizëm, jo thjesht një vizitë në panair. Por le të shohim sa i kanë rezistuar kohës sipërmarrësit dhe bizneset vendase? Po t’i thërrisni kujtesës, sa nga biznesmenët e viteve 1995 – 2005 mbani mend, që janë sot ende aktiv në treg? Nga ata që unë njoh, numëroj jo më shumë se 7-8 dhe të gjithë këta janë pjesë e sipërmarrësve që investojnë tek vetja, tek e reja dhe ndryshimi. Po të tjerët ku janë?
Suksesi i çdo kompanie sot dhe më shumë nesër varet nga sa të aftë do të jeni që të gjeni, rrisni dhe mbani njerëz të aftë, drejtues të zotë, drejtues me vizion që janë të gatshëm të bëjnë ndryshimin dhe sjellin risi e ekipe të përgatitura mirë teorikisht dhe praktikisht, të mirë-trajnuara, mirë-paguara dhe mirë-trajtuara. Drejtuesit dhe ekipet e sotme, nëse nuk ecin përpara në zhvillimin e njerëzve, mund të vazhdojnë të jenë në treg të suksesshëm më së shumti edhe 2-3 vjet. Mendoni sikur sot të keni drejtues një ish-drejtues të një ndërmarrjeje të viteve 1995 – 2005, që pret punonjësit në mëngjes tek dera dhe iu pret ditën e punës kur vijnë vonë, apo të keni shef finance një ish-kryellogaritar të viteve 1995-2005 që punon me laps në vesh sepse ka fobi nga kompjuteri dhe nuk ka besim tek programi kompjuterik, ose një drejtor shitjesh që mendon se çdo gjë varet nga çmimi i produktit apo shërbimit, duke trumbetuar filozofinë e tij “jepi çmim”. Të gjithë këta me shumë gjasë kanë të përbashkët faktin se nuk iu është dhënë mundësia që të marrin njohuri të reja dhe nuk janë trajnuar kurrë. Ata që mendojnë se dinë çdo gjë që iu duhet ose që kanë shumë punë dhe nuk mësojnë dot, do të bien në stanjacion. Kujdes, rënia ne kurthin e stanjacionit të çon në dështim të ngadaltë, por të sigurt!
Që një biznes të ecë e të ecë përpara ka nevojë për vizion dhe investim tek njerëzit me të njëjtin seriozitet që investon në asete. Aftësia për të ndërtuar ekip është çelësi i suksesit. Më pas do të shihni rezultate që nuk do të ndalen.