Peshku nuk qelbet nga bishti
Nga Erald Pashaj.
Këto ditë vere, kur jemi me pushime, e vëmë re dhe më shumë se zakonisht sesa keq shërbehemi, sa keq na ofrohen të gjitha shërbimet për të cilat paguajmë jo pak.
Hotele dhe dhoma të papastra, tualete të vjetra dhe që të vjen ndot të hysh, ushqime të vonuara dhe shpesh herë të gatuara keq, vonesa, fjalë dhe gjeste acaruese, debate dhe zënka të personelit të shërbimit me njëri-tjetrin apo me klientë të tjerë, shqetësim parkingu dhe nga ai tipi që rri te parkingu, recepsioni ironik, e deri tek faturat me shtesa dhe mungesa artikujsh, kryesisht me shtesa. Të gjitha këto i kryejnë punonjësit e shërbimit me punën e tyre. Ata marrinin edhe lloj-lloj shikimesh, fjalësh, të sharash dhe deri edhe fyerje dhe ndonjëherë edhe përplasje fizike. Por pse ndodh që edhe pas kaq vitesh fjala cilësi shërbimi është kaq e largët? Dikush thotë që ne nuk bëhemi, dikush thotë është problem botëror, dikush thotë që aq paguhen, dikush aq dinë, dikush se janë të lodhur nga puna, por pak kush thotë që fajin e ka koka! Pseudo-pronarët e njësive të shërbimit janë problemi. Ata ankohen për punonjësit e tyre, iu bërtasin në publik, grinden me klientë, etj. Ata japin shembullin e tyre, fiks siç janë. Ata janë edhe me keq se punonjësit e tyre, ata janë zaptues, janë shkelës ligji, janë pa nivel dhe pa shumë e shumë veti të tjera. E po si presim ne të marrim shërbim nga këta! Si mundet që një profil i tillë të zbatojë norma shërbimi, të trajnojë punonjësit, të paguajë me dinjitet dhe aq më shumë të zbatojë rregulla higjiene, të ruajë produktet në kushtet e duhura, dhe për më tepër të ketë etikë në komunikim dhe në punë, etj. Ata janë problemi. Natyrisht që ka edhe të tillë që nuk bëjnë pjesë si më lartë dhe falë zotit që nuk janë të gjithë njësoj, që të kemi mundësi të marrim kënaqësi për paratë e shpenzuara.
Në shumë raste, kur njerëzit lexojnë shkrime të tilla ose edhe në biseda mes tyre, thonë: - Shteti duhet të ndërhyjë, të bëjë kontrolle, të japë ose jo licensa për aktivitete, të kërkojë certifikime paraprake për mjediset dhe personelin, etj. Dakord, këto gjëra mund të ndihmojnë përmirësimin e situatës (megjithëse zbatimi i ligjit, tani e shumë vite, nuk ka qenë kurrë në nivelin e duhur edhe për gjëra më madhore), por ne çfarë duhet të bëjmë? Unë them duhet bërë diçka edhe më e thjeshtë dhe pa kosto për kërkënd. Secili nga ne të zbatojë 3 hapa:
1. Përzgjidh me kujdes: Mos shko në njësi akomodimi dhe shërbimi që do të t’i nxjerrin nga hundët pseudo çmimet e lira që do të paguash. Mos shko atje ku pronari të bën me dije me prezencën e tij/saj që je në pronën e tij. Thjeshtë mos shko, mos shko!
2. Tregoji çdo të njohuri për shërbimin e keq ose të shkëlqyer që ke marrë diku. Tregoji rastin siç ka ndodhur, sepse kështu ndihmon atë, ashtu siç do doje edhe ti të ndihmoheshe.
3. Vlerëso ato biznese që investojnëdhe të ofrojnë mjedise dhe shërbim dinjitoz. Më mirë shpenzo një herë dhe mirë, sesa disa herë dhe keq.
Vetëm ne klientët, nëpërmjet zgjedhjeve që bëjmë, do të mund të përmirësojmë shërbimin në këtë vend.