Slider

Punonjësi, kapitali më i çmuar­?!

Nga Erald Pashaj

Nga sistemi i kaluar trashëguam një parullë “Njeriu kapitali më i çmuar”. Në fakt që atëherë dhe deri më sot, kjo është vetëm një parullë, si për të na kujtuar të kundërtën, që njeriu nuk është aspak kapital, i çmuar jo e jo, madje as vegël pune nuk është, sepse edhe për veglën tregohet pak më shumë kujdes, sesa për njeriun.

Çdo ditë dëgjojmë kompani që thonë se njerëzit i kanë asetin më të çmuar. Për të qenë i sinqertë ka kompani ku njerëzit kanë vërtet peshë dhe trajtohen si aset. Por në masën më të madhe të punëdhënësve në Shqipëri, punonjësit trajtohen si aset i dorës së tretë. Më shumë kujdes tregojnë për makinat sesa për stafin, madje që pas viteve 90 i shoqëron shprehja “punonjësit i mbajmë me bukë”. E trishtueshme si shprehje, sepse është e kundërta.

Sot nuk ka kompani të madhe, të mesme, të vogël, të bukur, të shëmtuar që nuk kërkon të ketë njerëz të aftë, të përkushtuar, të ndershëm, etj, por të tillë nuk ka, ose ka shumë shumë pak, ose ata të mirët zgjedhin me shumë kujdes punëdhënësin. Në shumicën dërrmuese në punën tonë, kandidatët kërkojnë kompani të huaja, madje edhe kur paga është më e ulët kompanitë e huaja janë gjithmonë më të preferuara. Në këto kushte shprehja e viteve të fundit vjen si një konstatim; “Punë ka, por nuk ka profesionistë”. Po, në parim kështu është, por kjo shprehje duhet të vazhdoj, profesionistë nuk ka, por si mund të kemi të tillë? Ku t’i gjejmë? Apo mos duhet të ulemi dhe të punojmë që t’i bëjmë? A di ndonjëri ndonjë rast se si dikush lind profesionist, apo mbaron shkollën dhe është profesionist, apo punon në ndonjë kapanon, lokal lagjeje, dyqan shpërndarjeje, pseudo institucion, etj dhe pa pritur e pa kujtuar na bëhet profesionist?

Sa më lart edhe unë si të gjithë të tjerët vetëm konstatova problemin, por te konstatosh një problem në këtë vendin tonë nuk është aspak vështirë, vështirë është të japësh një mënyrë shërim dhe akoma më e vështirë është ta bësh atë, sepse edhe rezultate në burimet njerëzore nuk janë aq të shpejta dhe të dukshme.

Cili është mjeti i shërimit?

A mund të kemi forcë të kualifikuar punëtore në çdo sektor? Forca e kualifikuar nuk do të bëhet vetë, nuk do të vij nga jashtë, nuk do të mbaroj vetëm shkollën që në të vërtet është një hap shumë, shumë i rëndësishëm për zhvillimin e cilido, por kjo nuk mjafton. Ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të ndryshojmë mendësinë tonë dhe të investojmë tek njerëzit tanë.

Çfarë do të thotë të investosh tek njerëzit dhe t’i shohësh si aset? Në radhë të parë duhet të njohësh njerëzit më të cilët punon. Të respektosh kodin e punës 100%, jo t’i njohësh nga pamja e jashtme apo me paragjykimin që ai ose ajo nuk bën, ta heqim!! …. Dakord, po kush bën, kë do të marrësh, ku do ta gjesh, etj. Nqs duhet të zhvillojmë burimet tona njerëzore duhet që në radhë të parë t’i vlerësojmë për çka bëjnë mirë dhe të punohet pa pushim për një përmirësim të vazhdueshëm. Duhet të punohet në 2 drejtime kryesore:

  • Me mendësinë e tyre (mendësi e dëmshme dhe me rrënjë të thella)
  • Me zhvillimin e aftësive sipas sektorëve.

Nga eksperienca ime me zhvillimin e stafit mund të them që e para është përcaktuese sepse mendësia është pengesa themelore për t’u zhvilluar. Nqs kompanitë do të punonin me njerëzit e tyre në këto dy drejtime, brenda 5 viteve forca punëtore, ambienti i punës, produktiviteti, dhe ekonomia si një e tërë do të ketë një zhvillim të paparë më parë.

Vetëm forca e aftë dhe e kualifikuar mund ta çoj përpara sektorin, sipërmarrjen dhe vendin tonë.

Investoni tek njerëzit dhe çdo njeri të investoj tek vetja dhe do të realizoni veten që doni dhe zhvillimin që duam.

Ju faleminderit për kohën që i kushtuat leximit të këtij mesazhi.