Slider

Sa paguhemi?

Nga Erald Pashaj

Këto kohët e fundit më pyesin shpesh si punëmarrësit ashtu edhe punëdhënësit: “Sa paguhet ky pozicion?” - pyesin punëmarrësit, “Po, sa paguhet punonjësi në këtë pozicion?” - thonë punëdhënësit. Pyetje të kësaj natyre janë mëse normale, por më bie në sy që të dy palët nuk ndalojnë tek përgjigja. Secila palë, menjëherë pas pyetjes, jep edhe versionin e vet të përgjigjes. Punëmarrësi thotë se pagat janë rritur së fundmi dhe se ka një shok, që ka një shok që bën pothuajse të njëjtën punë si ai dhe paguhet më shumë. Madje mesatarisht paga për punën që ai bën është më e lartë dhe vazhdon përsërit rastin e këtij shokut. 

Nga ana tjetër punëdhënësi pasi bën pyetjen, vazhdon: “Tek ne ka paga të mira, madje jo të mira, por shumë të mira. Mos të them për punën që bëjnë këtu, se punën këtu ta shohin në ëndërr. Ja të them unë që kam një shok që ka punë shumë më të vështirë, dhe që rri pronto 24 orë, e me paga më të ulta, që nuk krahasohen me tonat. Po janë tërbuar nga e mira....”

Ju që tani po lexoni sa më lart, jeni irrituar, sidomos me këtë tipin punëdhënës, por nuk besoj se jeni dakord edhe me logjikën e punëmarrësit. Secila nga palët nuk shkëputet dot as nga logjika që përdor dhe as nga rasti që merr si të vërtetë universale, të pakundërshtueshme dhe të padiskutueshme. Përpara sesa të jap një pamje të shkurtër sesi vendosen pagat dhe sa paguhen disa pozicione në Shqipëri, po ndalem tek rezultatet që sjell kjo mënyrë të menduari si më lart, si nga ana e punëmarrësit, ashtu edhe ajo e punëdhënësit. Ndërkohë rezultatet janë shumë të thjeshta: punëmarrësi është përsëri tek ajo punë edhe pas disa vitesh, ndërsa punëdhënësit i janë larguar mbi 25% e punonjësve gjatë një viti. (Në fakt largimet mbi 10% konsiderohet si fillimi i problemeve me stafin). Pra këto rezultate tregojnë se rasti i shokut të shokut me pagë të mrekullueshme nuk paska qenë norma e tregut dhe nga ana tjetër edhe puna tek punëdhënësi nuk paska qenë kaq tërheqëse dhe punonjësit nuk paskan qenë “të tërbuar nga e mira”. Përkundrazi, tregu i paska dhënë një shuplakë alarmi.

 Mënyra më e mirë për të analizuar sesa paguhemi është në radhë të parë të analizojmë mirë punën që ne kryejmë, dhe jo të bëjmë krahasime të gabuara duke mbivlerësuar apo nënvlerësuar punën që bëjmë. Pra në thelb, nevojitet një analizë realiste. Më pas duhet të shohim cilat punë të tjera konsiderohen në familjen e punës që ne bëjmë. Bëjini vetes pyetjen: Nëse unë nesër nuk do të isha në këtë punë, në cilat punë të ngjashme mund të punoja? Dhe nëse nuk do të isha në këtë punë, cilët persona dhe me çfarë përvoje mund të më zëvendësonin? Të gjitha ato punë që janë të shkëmbyeshme me njëra-tjetrën, konsiderohen si punë të së njëjtës familje. Për shembull, një punonjës që punon në shërbimin ndaj klientit në një kompani telekomunikacioni, mund të punojë shumë mirë në shërbimin ndaj klientit në bankë, apo në një kompani transporti, në një hotel, apo në shërbimin ndaj tatimpaguesit në një institucion shtetëror, etj. Ose një specialist finance mund të punojë në çfarëdo lloj industrie. Natyrisht, kjo vlen 100% për punët e pakualifikuara që mund të punojnë në ndërtim, punishte, transport, etj. E njëjta mënyrë arsyetimi vlen edhe për kompanitë. Të përcaktojnë se cilat janë punët e ngjashme, ku punëdhënës të tjerë mund të punësojnë normalisht punonjësit e tyre. Hapi tjetër është që me të njëjtin arsyetim të përcaktojnë jo vetëm punë të së njëjtës familje, por edhe me familje të tjera gjysmë të ngjashme.

Pra, potencialisht tregu i punës ofron shumë më shumë mundësi sesa mendohet, por tregu potencial duhet të vlerësohet nga vetë i interesuari me objektivitet përkundrejt vetvetes, qoftë në pozicionin e punëmarrësit apo të punëdhënësit.

Një tjetër qasje e gabuar është marrja për referencë e pagës mesatare. Paga mesatare mund të shkaktojë paqartësi. Për shembull, ne mund të themi që një drejtues paguhet mesatarisht 290,000 Lekë. Kjo është qasje e gabuar, sepse ka drejtues që paguhen 500,000 Lekë, por ka edhe që paguhen 80,000 Lekë. Një proverb i vjetër flet për një mbret, i cili ftoi për drekë një fshatar dhe gjatë drekës mbreti hëngri 2 pula, ndërsa fshatari asnjë. Në fund mbreti i tha: “U kënaqëm sot, hëngrëm mesatarisht nga 1 pulë secili.” Mesatarja është një tregues që duhet marrë me rezervë kur flasim për tregun e punës dhe duhet të analizohen mirë të dhënat që mesatarizohen.

Një tjetër faktor që duhet marrë parasysh në analizën sa paguhemi është edhe demografia. Tregu i punës është i ndryshëm në Tiranë qendër, Tiranë rrethina, qytetet e mëdha, qytete e vogla, etj. Krahasimi duhet bërë gjithmonë brenda zonës territoriale ku jetoni e punoni.

Më poshtë po ndaj me ju disa të dhëna mbi pagat neto për disa pozicione masive pune në vendin tonë. Të dhënat i përkasin Sondazhit të Pagave 2020 të realizuar nga EPPC Albania, ku morën pjesë 23 kompani të mesme dhe të mëdha që zhvillojnë aktivitetin në aksin Tiranë – Durrës.

Sondazhi i Pagave 2020.

Paga Mujore Neto në LEK për disa nga pozicionet e ndeshura ndjeshëm në tregun e punës në vendin tonë.

  • *25%-shi i Poshtëm - Dmth që 25% e të dhënave të raportura janë nën këto vlera, pra 75% paguhen mbi këto vlera.
  • *75%-shi i Lartëm - Dmth që 75% e të dhënave të raportura janë nën këto vlera dhe 25% paguhen mbi këto vlera.
  • *Mesorja – Mesi i te dhenave te raportuara.

Sa më lart paraqet pagën totale neto që përfiton punonjësi në një pozicion pune. Paga totale neto përfshin pagën bazë, plus nxitësit për arritje objektivash, bonuse të ndryshme, dieta, etj. Këto të dhëna janë nxjerrë nga përpunimi i të dhënave të 23 kompanive në Shqipëri dhe janë sot treguesi më i mirë se sa paguhemi.

Tashmë ne jemi në procesin e fillimit të përpunimit të pagave për Vitin 2021, i cili pritet të ketë surpriza në disa kategori punësimi. Megjithëse nuk mund t’i publikojmë të gjitha pozicionet që disponojmë, uroj që sa më lart të jetë e vlefshme për punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe të ndihmojë në përmirësimin e tregut të punës në vitet në vazhdim.