Logo

Të gjithë kritikojnë të gjithë. Po unë si jam?

Nga Erald Pashaj, EPPC Albania & Kosovo ltd.

Çdo ditë dëgjojmë njerëz që kritikojnë të tjerët. Punonjës që kritikojnë nën zë punëdhënësin, shefin, kolegun, klientin, furnitorin, pa përjashtim çdo njeri që i lidh ose jo puna. Por dëgjojmë edhe punëdhënësin që çdo ditë kritikon me zë dhe nën zë punonjësit, janë skandal, të papërgjegjshëm, nuk duan punën (jo nuk duan punëdhënësin, por nuk duan punën), nuk janë për gjë, etj. Dhe kjo vazhdon, e vazhdon pa asnjë përmirësim nga të dy palët, madje kanë gjetur ngushëllim duke thënë se kështu është Shqipëria. Vetëm në Shqipëri është kështu! Dmth në Greqi, në Turqi, në Rusi, në Francë, në Itali dhe ku të doni ju, nuk është kështu, atje është mrekulli. Dmth punonjësit në këto vende janë të mrekullueshëm, ndërsa tek ne nuk bëhen. Kush ka punuar jashtë e di që këto nuk janë të vërteta. Por sigurisht që në vendet e zhvilluara, ligji është shumë më shumë funksional dhe nuk lejon në rradhë të parë punëdhënësin që mos të zbatojë ligjin por edhe punëmarrësin që mos t’i shkelë ato. Ndërgjegjja njerëzore sot është ligjore.

Në vendin tonë nuk zbatohet ligji nga punëdhënësit, por as nga punëmarrësit. Punëdhënësit nuk zbatojnë ligjin në lidhje me orët e punës, ditët e pushimit, pagën reale, afatet e njoftimit për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, kushtet e punës, sigurinë në punë, trajnimin e duhur, etj, dhe thonë se kështu bëjnë edhe kompanitë e tjera. Nga ana tjetër punëmarrësit nuk zbatojnë rregullat e disiplinës, etikës dhe i shkelin në mënyrë të përditshme, nuk zbatojnë afatet e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës, nuk e kryejnë punën me cilësi dhe përgjegjësi, e nuk merakosen fare për këtë. Të dyja palët ngushëllohen duke e hedhur fajin tek pala tjetër dhe kështu duke qetësuar secila palë veten se vetë janë në rrugën e duhur. Në fakt janë në rrugën e gjatë të shqetësimeve të vazhdueshme.

Disa pyetje vijnë natyrshëm për secilën palë dhe për çdo individë: “Unë vetë a kam ndonjë gabim? Sikur t’i ndreq një here këto ‘huqet’ dhe veprimet jo-ligjore të miat, dhe mos ndoshta pala tjetër ka të drejtë?”

Ne duam të ndryshojmë cilindo që na rrethon, ndërsa vetëm vetë nuk duam të ndryshojmë dhe përmirësohemi në asnjë drejtim, por vetëm të kritikojmë. Të kritikojmë këngëtarë, artistë, futbollistë, trajnerë, prezantues, gazetarë ... e kë të na dal përpara dhe vetë sapo na jepet mundësia më e vogël bëjmë veprime të njëjta ose të ngjashme me ato që vetë kemi kritikuar.

Duhet të ndalojmë se kritikuari sepse nuk na ka shërbyer aspak dhe nqs duhet të kritikojmë, atëherë duhet ta fillojmë nga vetja sepse kemi vend për t’u përmirësuar sa një det i tërë.

Çdo kritikues në rradhë të parë duhet të kujtojë që bota nuk është perfekte, as ai/ajo nuk janë, dhe duhet t’i bëjnë edhe një pyetje të thjeshtë vetes: - Po unë si jam?

Zgjidhja për të ulur dozën e kritikës ndaj botës, është përmirësimi juaj i vazhdueshëm. Cilido duhet të përmirësohet vazhdimisht në sjellje dhe në profesion. Ndryshimi në sjellje, sjell edhe ndryshimin profesional. Gjithsecili duhet të njohë më mirë vetveten, e kështu të përmirësohet, sepse këtë mund ta bësh. Pasi të përmirësohesh, gradualisht do të shohësh që të gjithë që të rrethojnë do të përmirësohen bashkë me ty.