Nëse keni kërkuar në google se si të përgatiteni për një intervistë pune fituese, mesiguri jeni ndeshur me qindra artikuj me teknika dhe këshilla që ju i keni dëgjuar shumë e shumë herë. Më poshtë janë 8 këshilla për përgatitjen e intervistave, në dukje jo të zakonshme, por pa dyshim të dobishme kur bëhet fjalë për të dhënë përshtypjen e parë të jashtëzakonshme.

  1. Përgatitini përgjigjet tuaja por punoni edhe me mendësinë tuaj

"Biseda paraprake me veten" apo dialogu juaj i brendshëm është thelbësor kur bëhet fjalë për përgatitjen efektive të intervistës. Ditën përpara intervistës, thuaji vetes që kjo kompani do të ishte me fat që të të kishte dhe se je absolutisht personi i duhur për pozicionin. Duke e thënë këtë me zë të lartë do të rrisni vetëbesimin tuaj.  

  1.  Hulumtoni online për intervistuesin

Disa vite më parë, kjo sjellje do të ishte e diskutueshme, por sot është krejt normale të bëni disa "kërkime" për intervistuesin tuaj përpara se ta takoni. Kjo mund të lehtësojë aspektet e "frikës nga e panjohura" që disa kandidatë përjetojnë në një intervistë, pasi kështu, ju jeni në gjendje t'i vendosni një fytyrë një emri dhe të ndiheni më komod me intervistuesin. Ju gjithashtu mund të gjeni disa të përbashkëta për ti përmendur spontanisht në intervistë si një mënyrë për të ndërtuar një raport me të.

  1. Praktikoni posturën tuaj prej fituesi

Psikologia Amy Cuddy rekomandon te bëni posturën tuaj prej fituesi përpara një prezantimi apo interviste. Studimet kanë vërtetuar se qëndrimi në këtë pozë për tre minuta rrit vetëbesimin dhe ulë ankthin. Provojeni!.

  1. Bëni stërvitje përpara intervistës

Natën ose mëngjesin para intervistës, pasi të keni bërë të gjithë përgatitjet tuaja për të, gjeni kohën për të bërë stërvitje. Ushtrimi fizik rrit çlirimin e endorfinave, të cilat janë provuar se ulin stresin dhe në përgjithësi ju lejojnë të ndiheni më pozitiv dhe energjik - të gjithë këto, elementë që janë të rëndësishëm për ju të mendoni qartë dhe të krijoni një përshtypje të pare, të mirë.

  1. Vishuni për të bërë përshtypje

Sigurisht, ju dini të visheni profesionalisht për një intervistë, por pse të mos bëni një përpjekje shtesë, që të ndiheni sa më të sigurt në vetvete. Qoftë kjo kohë e shpenzuar më shumë  për flokët tuaj apo veshjen tuaj më të mire: -do të vlejë nëse do t'ju japë më tepër besim para intervistës.

  1. Dëgjoni muzikë ose një emision rrugës drejt intervistës suaj

Muzika është një mënyrë për të lehtësuar stresin. Dëgjimi i muzikës optimiste jo vetëm që do t'ju bëjë të ndiheni mirë, por gjithashtu do t'ju heq mendjen nga ai dyshimi dhe ankthi që ndjeni, ndërsa shkoni për intervistën tuaj.

  1. Rezervoni një drekë / darkë për të festuar më pas

Përgatitja e intervistës mund të jetë lodhëse mendërisht dhe fizikisht. Për t'ju ndihmuar të  largoni mendjen prej intervistës, pas saj rezervoni diçka argëtuese - mbase një drekë apo darke me një koleg të vjetër ose një mik. Shiheni këtë si një shpërblim për të gjithë punën tuaj të vështirë për t'u përgatitur për këtë intervistë.

  1. Shikoni përtej kornizave

Kujtojini vetes suaj, se ky nuk është i vetmi vend vakant pune në botë dhe do të ketë mundësi të tjera, nëse nuk keni sukses këtë herë. Kjo do t'ju ndihmojë të shihni më gjerë dhe të hiqni një pjesë të presionit nga vetja juaj.

Të gjitha më lartë, do tju ndihmojnë të ndiheni më optimist, pozitiv dhe të qetë në ditën e intervistës. Nëse jeni në këtë lloj mentaliteti, ka më shumë të ngjarë të relaksoheni dhe do të ndiheni vetvetja. Si rrjedhim, intervista do të ndihet më shumë si një bisedë dy-palëshe, dhe jo si një seancë e ftohtë pyetje-përgjigje. Kështu, do ta gjeni veten vërtet duke ndërtuar një raport me intervistuesin, për të mbetur në mendjen e tij më pas dhe duke shpresuar se kjo intervistë do të rezultojë në sukses.

Burimi: HAYS Blog

linkedinfacebookinstagramYouTubecontact