EPPC WFH

Përhapja e virusit Korona ka bërë që pjesa më e madhe e njerëzve të punojnë nga shtëpia. Nëse jeni i ri në punën nga distanca, këto këshilla nga një profesionist i punës nga shtëpia mund t'ju ndihmojnë të qëndroni produktiv dhe të ruani ekuilibrin.

Të gjithë ata që punojnë nga distanca duhet të kuptojnë se kur duhet të punojnë, ku të punojnë dhe si të krijojnë kufij midis punës dhe jetës personale. Po në lidhje me paisjet e zyrës, zhvillimin e karrierës, mundësitë e trajnimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve me kolegët? Të punosh në distancë, veçanërisht kur punon nga shtëpia shumicën e kohës, do të thotë të kuptosh këto dhe çështje të tjera.

Më poshtë janë renditur disa këshilla për të patur një jetë më të mirë dhe më produktive në punën nga distanca.

  1. Përmbajuni orareve

Vendosni një orar, dhe përmbajuni atij… shumicën e kohës. Pasja e udhëzimeve të qarta se kur duhet të punoni dhe kur të pushoni ju ndihmon shumë të mbani ekuilibrin punë-jetë edhe në shtëpi.

  1. Krijoni një rutinë të mëngjesit

Vendimi për t’u ulur në tavolinë dhe të filloni punën në një kohë të caktuar është një hap. Krijimi i një rutine që ju udhëzon në punë është një tjetër. Cila është rutina juaj që përcakton fillimin e punës në mëngjes? Mund të jetë duke përgatitur një kafe. Mund të jetë kthimi në shtëpi pas një vrapimi. Mund të jetë veshja (të veshësh tuta për të punuar është e pranueshme për dikë, por jo për dikë tjetër). Një rutinë mund të jetë më e fuqishme sesa një orar për t'ju ndihmuar të filloni punën.

  1. Vendosni rregulla për njerëzit në hapësirën tuaj

Vendosni rregulla për familjarët ose të tjerët të cilët ndajnë hapësirën me ju kur punoni. Nëse keni fëmijë në shtëpi dhe derisa ju jeni akoma duke punuar, atyre ju duhen rregulla të qarta lidhur me atë që mund dhe nuk mund të bëjnë gjatë asaj kohe.

  1. Planifikoni pauzat

Njihuni me politikën e kompanisë tuaj për kohën e pushimit dhe zbatojeni atë. Nëse jeni i vetëpunësuar, jepni kohë të mjaftueshme vetës, që gjatë ditës të largoheni nga ekrani i kompjuterit dhe telefoni. Një orë dreke dhe dy pushime 15-minutëshe duket se janë standardi për punonjësit me kohë të plotë.

  1. Shfrytëzoni pauzat në tërësinë e tyre

Mos e mashtroni veten gjatë pauzave, veçanërisht gjatë kohës tuaj të drekës. Ju mund të përdorni një aplikacion, të tillë si TimeOut për Mac dhe Smart Break për Windows, për të larguar veten nga kompjuteri juaj për 60 minuta. Gjithashtu, nëse ktheheni në tavolinën tuaj të punës pas vetëm 40 minutash, ecni edhe për 20 minuta të tjera.

  1. Mos rrini vetëm mbyllur

Në atë masë sa është e lejuar dhe e sigurt atje ku jeni gjatë shpërthimit të COVID-19, dilni nga shtëpia, me kusht që të mund të ruani distancën, natyrisht. E njëjta këshillë vlen edhe për njerëzit që punojnë në ambiente tradicionale të zyrave. Lini ndërtesën të paktën një herë në ditë. Trupi juaj duhet të lëvizë. Plus, ajri i pastër dhe drita natyrale do t'ju bëjnë mirë.

Ju nuk keni pse të dilni në hapësira publike të mbushura me njerëz, vetëm sa për t'u larguar nga hapësira juaj e punës (mbase tani edhe nuk duhet të dilni fare). Dilni në kopsht. Shijojeni natyrën dhe rrezet e Diellit.

  1. Mbani një hapësirë ​​të dedikuar për zyrën

Në një botë ideale, punonjësit që punojnë në distancë do të kishin jo vetëm një zyrë të dedikuar, por edhe dy kompjuter, një për punë dhe një për përdorim personal. Do të ishte më e sigurt edhe për punëdhënësin, gjithashtu ju lejon të punësuarve t’i kryejnë të gjitha aktivitetet personale në mënyrë private. Por, jo të gjithë kanë një zyrë të veçantë në shtëpinë e tyre, si dhe mbajtja e dy kompjuterëve nuk është gjithmonë e mundshme. Në vend të kësaj, dedikojeni një tavolinë dhe disa pajisje shtesë vetëm për përdorim pune.

  1. Përdorni një VPN (Virtual Private Network)

Përdorni një VPN sa herë që jeni i lidhur me një rrjet që nuk e kontrolloni.

  1. Socializohuni me kolegë

Vetmia, shkëputja dhe izolimi janë probleme të zakonshme në jetën e punës nga distanca, veçanërisht për natyrat ekstrovertë. Gjeni mënyrë për tu socializuar edhe në këto kushte, mund të përdorni aplikacioneve të mesazheve të biznesit si Slack, por sigurohuni që të mos ju interferojnë në produktivitet.

  1. "Shfaqu" në takime gjithashtu bëhu dëgjues

Sigurisht që do të ju duhet të merrni pjesë në video dhe call konferenca, por do të ishte mirë të merrni pjesë ndonjëherë edhe në mbledhje opsionale. Sigurohuni të flisni gjatë takimit, kështu që të gjithë e dinë që edhe ju jeni në mbledhje. Edhe një "Faleminderit, të gjithëve. Bye!" e thjeshtë, në mbyllje të një mbledhjeje, do ta bëjë të vërejtshme prezencën tuaj.

Për ata që po punojnë nga shtëpia vetëm për shkak të pandemisë, planifikoni një video call me kolegët ose menaxherin tuaj së paku një herë në javë.

  1. Shikoni mundësitë për trajnime

Kur nuk jeni në një zyrë me të punësuarit e tjerë, mund të humbisni trajnimet dhe kurset e zhvillimit të aftësive që mësohen aty për aty. Sigurohuni që të përfshiheni ne trajnimet online qe zhvillon  ndërmarrja juaj apo që zhvillojnë kompanitë e burimeve njerëzore online.

  1. Komunikoni vazhdimisht

Të punosh në distancë kërkon që të “stërkomunikoni”. Tregojuni të gjithëve, atyre që duhet të dinë, rreth orarit tuaj dhe disponueshmërisë, gjithashtu potencojeni kur të përfundoni një projekt ose detyrë të rëndësishme.

  1. Përfitoni nga përparësitë e të punuarit prej shtëpisë

Ju mund të keni më shumë kohë të lexoni libra, të shihni filma, të dëgjoni ligjerata online apo edhe të meditoni. Të punosh nga distanca ka përparësi unike. Përfitoni prej tyre.

  1. Mos e shqetësoni shumë veten tuaj

Punonjësit më të suksesshëm që punojnë në distancë kanë reputacionin e të qenit jashtëzakonisht të disiplinuar. Mbi të gjitha, duhet përqendrim dhe seriozitet për të bërë çdo detyrë pune full-time nga një hapësirë ​​jokonvencionale. Thënë kështu, të gjithë lejojnë që vëmendja e tyre të devijoj ndonjëherë. Nëse e gjeni veten duke punuar për një minutë dhe pastaj prenotoni fluturime për pushimet tuaja të ardhshme, mos e qortoni veten. Në vend të kësaj, pyeteni veten nëse njerëzit në një ambient zyre e bëjnë të njëjtën gjë. Nëse përgjigjja është po, jepini vetës edhe pak pushim shtesë, pastaj kthehuni në punë.

  1. Përfundoni ditën tuaj me një rutinë

Ashtu siç duhet ta filloni ditën tuaj me një rutinë, krijoni një zakon që sinjalizon mbylljen e ditës së punës. Rutina e mbylljes së ditës mund të jetë me një sinjal që vjen si mesazh në kompjuterin tuaj, me vaktin e darkës apo me një séance të jogas. Cilindo zakon që të zgjidhni, bëjeni atë në mënyrë të vazhdueshme për të shënuar fundin e orarit të punës.

Burimi: PCMag

Shqipëruar nga ekipi i EPPC Kosovo.

linkedinfacebookinstagramYouTubecontact