eraldpashaj

Cilat janë 6 detyrat kryesore të departamentit të burimeve njerëzore?

Nga Erald Pashaj

Në përditshmërinë e punës sime takohem me sipërmarrës vendas çdo ditë dhe flas hapur me ta duke menduar që kuptohemi për rëndësinë e burimeve njerëzore, detyrat që kryejnë BNj dhe sa i rëndësishëm është ky departament për ecurinë e biznesit. Natyrisht ka edhe raste që megjithëse marr një pohim nga ana tjetër, e vë re nga gjuha e tyre e trupit që nuk janë të qartë, ose nuk e vlerësojnë aq sa thonë me fjalë. Por ka edhe raste kur punonjës që punojnë në role të ndryshme drejtuese nuk janë të qartë se cilat janë detyrat e departamentit të BNj. Duke marrë shkas nga sa më lart, mendova që të ndaj shumë shkurt mendimin tim për detyrat kryesore që mbulojnë BNj. Natyrisht që dimensionet e BNj varen nga madhësia e kompanisë, kompleksiteti i strukturës, rëndësia e disiplinës ose kreativitetit (se nuk para qëndrojnë të dyja bashkë), pra mund të them se ka edhe shumë detaje të tjera për të bërë një paraqitje ideale të detyrave, por mendoj që 6 janë detyrat më kryesore:

  1. Rekrutimi i punonjësve të rinj.

Rekrutimi i punonjësve është një nga detyrat kryesore të BNj. Punësimi i ri që nga niveli i specialistit të thjesht dhe deri tek drejtues të mesëm është funksion kyç për BNj. Kërkimi dhe seleksionimi me cilësi dhe përputhje maksimale ka vlerë të lartë për kompaninë. Natyrisht që rekrutimi është një fushë shumë komplekse, kërkon shumë intervista, referenca, vlerësime personaliteti dhe sjelljeje, vlerësime njohurish dhe logjike, deri tek përdorimi i rekrutuesve të jashtëm, apo aplikacioneve dixhitale testuese, por të gjitha këto aktivitete do të duhet të kryhen dhe koordinohen nga departamenti i BNj derisa të arrihet te kandidatët përfundimtarë për t’u punësuar. Punësimi i duhur vlerësohet sot si shkaktari kryesor i suksesit ose jo të kompanisë. Sot rekrutimi dhe i gjithë departamenti i BNj po bëhen edhe më inovatorë, duke punuar për emrin e mirë të punëdhënësit, e duke rritur reputacionin e tij në treg, në mënyrë që të tërheqin punonjësit e dëshiruar dhe të duhurit për ta.

Ndërkohë drejtuesi i burimeve njerëzore e ndihmon kompaninë jo vetëm që të plotësojë pozicionet vakante me kandidatë, por edhe të përcaktojë pozicione të reja, të rishikojë pozicione ekzistuese dhe ta bëjë strukturën më produktive.

  1. Trajnimi dhe zhvillimi i punonjësve.

Të trajnosh dhe zhvillosh punonjësit sot në Shqipëri nuk është më luks, por është domosdoshmëri. Ata që nuk e bëjnë, kanë filluar që të marrin “shuplakat” e para nga tregu dhe pak nga pak e gjejnë veten të mbushur me forcë pune të dobët për të prodhuar rezultate. Ne kemi raste çdo ditë, kur kompani të mëdha shpenzojnë shumë në marketim dhe promocion produkti, por të gjitha këto shpenzime bëhen zero sapo klienti prek njësinë. Aty ai përballet me një punonjës të patrajnuar dhe me minimumin e dëshirës dhe të njohurive. E  gjithë përpjekja dhe kostot janë të përqendruara te një njeri, që ose di ta bëjë punën mirë, ose nuk di dhe besoj se e merrni me mend vetë kur dikush nuk di dhe nuk do se si mund të ecë puna. BNj nuk trajnojnë vetë të gjithë forcën e punës (natyrisht ka edhe trajnues të brendshëm, që ndihmojnë punonjësit e rinj kur i bashkohen kompanisë, por më pas preferohen trajnues profesionist), por ata krijojnë rrugën dhe mënyrat sesi një punonjës do të marrë të gjithë mendësinë dhe njohuritë që i duhen për të bërë punën si duhet. Gjatë kësaj rruge, BNj identifikojnë talentet, por edhe punonjësit e mesëm dhe ata mediokër, e kështu ndihmojnë menaxhimin në vendimet për ecuri në karrierë.

Ky funksion trajton edhe marrëdhënien me punonjësin, e cila është një degëzim i BNj që ka të bëjë me forcimin e marrëdhënies kompani-punonjës përmes matjes së kënaqësisë në punë, angazhimit të punonjësve dhe zgjidhjes së konfliktit në vendin e punës. Në kompani të mëdha në botë, ky funksion është një sektor apo punonjës i dedikuar për marrëdhënien me punonjësit.

  1. Paga dhe përfitimet.

BNj trajtojnë edhe funksionin e pagave dhe përfitimeve. Ato përcaktojnë strukturën, rregullat dhe mënyrën sesi vendosen pagat dhe përfitimet. Sa duhet të jetë paga për një pozicion të caktuar? Çfarë duhet të ofrojë kompania që të jetë tërheqëse në tregun e punës?

Si rriten pagat dhe përfitimet nga viti në vit? Cilat përfitime janë më tërheqëse për punonjësit? Si duhet të matet performanca e punës së punonjësve, etj.?

   4. Administrimi

Në fakt në shumicën e kompanive vendase, me BNj, nënkuptohet vetëm administrimi i BNj. Administrimi fillon që me dokumentet që nevojiten për nënshkrimin e kontratës së punës, firmosja, regjistrimi ose çregjistrimi në sistem, orët e punës, llogaritja e pagave, etj. Natyrisht që të gjitha sa më lart duhen dhe janë të domosdoshme, por ato nuk e bëjnë kompaninë më konkurruese në treg dhe as me rezultate më të larta. Këto janë veprime administrative, që shumë shpesh transferohen tek kompani që i kryejnë ato. Që në 2009 në EPPC Albania & Kosovo jemi specializuar në këto procese administrimi dhe i administrojmë ato për mbi 25 kompani të mëdha dhe të mesme, duke ndihmuar që klientët tanë të fokusohen në aktivitete më me vlerë për biznesin e tyre sesa administrimi i kontratave të punës dhe llogaritja e pagave. Gjithsesi administrimi i BNj është një funksion që duhet kryer patjetër, me kujdes dhe me rregull, sepse janë shërbime që punonjësi pret që t’i marrë saktë dhe në kohë.

  1. Zbatimi i kodit të punës.

Ky është aspekt ligjor dhe shumë i rëndësishëm që mbulohet nga BNj. Mospajtueshmëria me kodin e punës mund të rezultojë në ankesa në vendin e punës, praktika të padrejta të punësimit, kushte të pasigurta në punë dhe pakënaqësi të përgjithshme për kushtet e punës që mund të ndikojnë në produktivitetin dhe në fund të fundit, në përfitueshmërinë e përgjithshme të kompanisë. Janë detyrë e BNj që të trajtojnë me kujdes të vecantë rregullat e sigurisë në punë, respektimin e çdo trajnimi për sigurinë dhe pajtueshmërinë e këtyre rregullave me kodin e punës dhe më gjerë.

Stafi i BNj duhet të njohë mirë kodin e punës, të drejtat dhe detyrimet e punonjësit, rregullat për fillimin dhe përfundimin e marrëdhënieve të punës, etj. Njohja dhe zbatimi i ligjit të punës është domosdoshmëri dhe pajtueshmëria me të është detyrim ligjor. Në kompani të vogla dhe të mesme kjo detyrë bashkohet me administrimin e lartpërmendur ose ndiqet nga drejtuesi i burimeve njerëzore. Madje kjo është arsyeja pse shpeshherë preferohej dhe vazhdon të preferohet që drejtuesit apo punonjesit e burimeve njerezore të jenë persona me arsim juridik. Këta të fundit absolutisht që janë shumë të përshtatshëm për këto detyra, por duhet të përqendrohen edhe tek detyrat e tjera të përmendura më lart.

  1. Komunikimi i BNj.

Mendoj që njoftimet që vijnë nga BNj janë ndër më të lexuarat dhe më me interes në të gjitha kompanitë. Për këtë arsye komunikimi i brendshëm i BNj mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në pritjet dhe qëllimet që kanë punonjësit ndaj kompanisë.

BNj mund të njoftojnë për ngjarje të ndryshme, mundësi punësimi, lajme dhe informacione të dobishme që ndihmojnë punonjësit të pranojnë dhe të kuptojnë se për çfarë ka nevojë kompania nga forca e saj e punës. Gjithashtu BNj, duke qenë se takojnë punonjës të ndryshëm çdo ditë, ata bien në kontakt me shumë thashetheme, gjysmë të vërteta, etj, dhe adresimi i tyre në mënyrën e duhur ndihmon menaxhimin që t'i përgjigjet koncepteve të gabuara në mënyrën e duhur, me transparencë dhe vërtetësi.

Mendoj që sot në Shqipëri dhe Kosovë departmenti i burimeve njerëzore luan një rol thelbësor në ecurinë e çdo kompanie të sukseshme dhe ky rol sa vjen e forcohet.

Faleminderit që më lexoni.

Komentet tuaja mbi temën janë të mirëpritura.

linkedinfacebookinstagramYouTubecontact